Shkruan Zef Ndreka
– Nga paragjykimi, në Hagë mbaron drejtësia.
– Gjykata speciale e Hagës kërkon të dënojë popullin e Kosovës dhe territorin e saj…
Kjo është nga ato deklarata skandaloze, që nuk mund të kalohen me indiferencë. Në këtë rast, citimi nga një gjyqtarë, sjell një problem shumë më të madh se një formulim të pafat. Pra, kemi një deklaratë që prek drejtpërdrejt besueshmërinë, paanshmërinë dhe legjitimitetin moral të procesit gjyqësor.
As Gjykata e Hagës, nuk mund të japë përshtypjen se e ka të paracaktuar përfundimin e një çështjeje, për më tepër, të flasë për tokën e Kosovës si diçka që u takon serbëve.
Çdo gjykatë, sidomos ajo e Hagës si gjykatë ndërkombëtare, duhet të gjykojë mbi prova, mbi ligj dhe mbi përgjegjësi individuale. Ajo nuk është tribunë për të prodhuar sjellje historike apo politike.
Kur e shohim se ky gjykatës gjatë një procesi, artikulon një qëndrim të tillë, vetvetiu të lind pyetja e pashmangshme:
Ku mbaron drejtësia dhe ku fillon paragjykimi?
Kosova nuk mund të gjykohet si pronë që u shpërndahet popujve sipas interpretimit të një gjykatësi, ku krimet po gjykohen, individët po përgjigjen dhe provat po peshohen. Por populli I Kosovës dhe territori i saj nuk do të mund të dënohen.
Për këtë edhe përtej çdo vendimi përfundimtar, një deklaratë e tillë e një pjesëtari të trupit gjykues është një njollë e rëndë mbi perceptimin e drejtësisë së këtij procesi.
Drejtësia nuk mjafton të jetë e drejtë, por edhe duhet të duket e drejtë.
Në këtë rast gjykatësi duket i paragjykuar dhe vetë drejtësia duhet të vihet në bankën e të akuzuarve…







