Shkruan Zef Ndreka
Por sa vlerë ka vetëm rrëzimi i akuzës për pengim të drejtësisë?!
Kjo është pyetja më e rëndësishme për të ardhmen politike dhe juridike të Kosovës.
Por në këtë fazë të vlerësimit, duhet të kemi të qartë dy çështje të ndryshme që lidhen me përfundimin e gjykimit për krimet e pretenduara të luftës dhe çështjen e veçantë që lidhet me pengimin e drejtësisë.
Këto janë dy çështje që nuk kanë të njëjtat procedura dhe nuk mund të kenë të njëjtin rezultat njëkohësisht.
Vendimi i pafajësisë do të kishte rëndësi të madhe juridike dhe politike, por nuk duhet konsideruar i paracaktuar, që do të thotë se duhet kohë, duhet pritur.
Dhomat e Specializuara të Kosovës, më 17 nëntor 2026, në orën 10:00, kanë njoftuar zyrtarisht se do të shpallet aktgjykimi në çështjen kundër Hashim Thaçit dhe të pandehurve të tjerë, për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Pra kemi dy proçese që nuk duhen ngatërruar.
Njëri është procesi për krimet e luftës, ku më 16 shtator 2026, Thaçi u dënua në shkallë të parë me 25 vjet burgim. Edhe tre ish-drejtuesit e tjerë të UÇK-së morën dënime me burgim, pavarësisht se mbrojtja ka paralajmëruar apelim.
Tjetri është procesi për pengimin e drejtësisë. Dhe është pikërisht ky proces për të cilin do të shpallet vendimi më 17 nëntor. Për këtë akuzë, Prokuroria ka kërkuar gjashtë vjet burgim për Thaçin, ndërkohë që mbrojtja ka kërkuar pafajësi.
Pra, më 17 nëntor nuk do të shqyrtohet apeli për dënimin 25-vjeçar të krimeve të luftës, por do të jepet një vendim i veçantë, në shkallë të parë, për pengimin e drejtësisë.
A mund të shpallet i pafajshëm për këte?
Sigurisht, nga pikëpamja juridike, pafajsia është e mundur, sepse gjykatësi do të vlerësojë nëse provat e paraqitura nga Prokuroria vërtetojnë përtej dyshimit të arsyeshëm elementet e veprave penale.
Pretendimet e Prokurorisë bazohen në atë se gjatë vitit 2023 Thaçi u ka përcjellë vizitorëve informacione konfidenciale për dëshmitarët dhe udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e tyre. Mbrojtja i ka kundërshtuar këto pretendime dhe ka kërkuar lirimin e tij.
Ndërkohë, çështja e dënimit për krimet e luftës do të ketë një rrugë tjetër, do të kalojë në një procedurë tjetër, në Gjykatën e Apelit. Afati për paraqitjen e njoftimeve të apelit është caktuar deri më 27 nëntor 2026.
Për Kosovën, çështja e Hagës ka edhe një dimension historik. Hashim Thaçi ishte një nga figurat kryesore të UÇK-së, kryeministër në kohën e shpalljes së pavarësisë dhe president i parë i zgjedhur i Kosovës pas pavarësisë.
Prandaj, duhet të ndahen tri gjëra themelore.
– E drejta e Kosovës për të vlerësuar historinë e saj çlirimtare.
– Përgjegjësia individuale penale e secilit drejtues, e cila duhet të provohet me standardet e drejtësisë.
– Pavarësia dhe legjitimiteti i luftës çlirimtare, të cilat nuk mund të barazohen me pafajësinë apo fajësinë individuale të çdo personi.
17 nëntori mund të sjellë një vendim lehtësues për Thaçin në çështjen e pengimit të drejtësisë, por jo një përmbysje të vendimit për krimet e luftës.
Do të ishte gabim historik që çdo vendim i Hagës të interpretohej si gjykim mbi të gjithë historinë e UÇK-së. Drejtësia duhet të gjykojë individët mbi prova, jo historinë mbi emocione politike.







