A jemi ne individë instinktesh të shtypura, sipas asaj që Frojd parashtron si kërcënim?!

0
Shkruan Albert Vataj
Na u shtypën jo vetëm instinktet, por edhe çdo gjë tjetër që përmes nesh kërkonte të shpërfaqte potencialin e forcës dhe kapaciteteve transformuese, gjithashtu ta vendos individin në rolin përcaktues të zotërimit të fatit. Nuk na u lejua nga despotizmi shtetëror, po kaq sa ai prindëror. E ndërsa ne sot kërkojmë çlirim, ofrojmë liri skllavi?!
Mjeku, neurologu dhe pionieri i psikanalizës, Zigmund Frojd (6 maj 1856 – 23 shtator 1939) është i mendimit se: Instinktet nuk lejohen t’i shtypësh, dhe është e kotë të supozosh se kur i shtyp, ata ikin e zhduken përgjithmonë. E shumta, mund t’i ndrydhësh, duke i kaluar nga vetëdija në pavetëdije.
Por duke iu nënshtruar kësaj shmangieje të rrezikshme, ata grumbullohen në thellësi të shpirtit dhe, duke fermentuar vazhdimisht, krijojnë shqetësime nervore, çrregullime dhe sëmundje.
Forca e instinkteve të epshit, të damkosura nga morali, përbëjnë një pjesë të pashkatërrueshme të qenies njerëzore që rilind në çdo embrion, se ky element nuk mund të shmanget kurrë, por në disa raste arrin të zbutet veprimi i tij, duke kaluar në vetëdije.
Instinktet mund t’i disiplinojë vetëm ai që i njeh, demonët mund t’i zbusë vetëm ai që i nxjerr nga honi i tyre i errët në dritë dhe i sheh në sy. E rëndësishme nuk është t’i mbytësh në heshtje të fshehtat më të mistershme të njeriut, por t’i detyrojë ata të flasin.
A jemi ne individë të inkapsuluar në një gjendje paniku dhe papajtueshmërie për t’u ndeshur me veten tonë, në një tentative për ta prezantuar atë si një forcë e projektuar për aktin e lartë të ekzistencës.
E megjithatë ne jemi një përpjekje e mbetur në tentativë për të triumfuar në përleshjen titane me demonët e së shkuarës, me pamjaftueshmëritë dhe paranojat që fermentoi qenia jonë, mbetur kyçur në qelitë e jolirisë për të qenë dhe për të jetuar.
Ndoshta është tepër vonë, ose përpjekja jonë është e pamjaftueshme?!
Gjithsesi ne jemi aty, duke u përpjekur!
Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu