Kreu Aktualitet A ka depërtuar krimi deri në zemrën e sigurisë së shtetit?

A ka depërtuar krimi deri në zemrën e sigurisë së shtetit?

0
15

Shkruan Zef Ndreka

– Dëm i madh institucional dhe strategjik, kur siguria e shtetit vihet në pikëpyetje.
Sot, më 22 shtator 2026, GJKKO me kërkesë të SPAK-ut, ka caktuar ndaj Vlora Hysenit arrest shtëpie dhe pezullim nga detyra. Kjo kërkesë lidhet me hetimet e dosjes AKSHI.
Akuzat përfshijnë përkrahjen e autorit të krimit dhe zbulimin e të dhënave sekrete shtetërore.Rasti është jashtëzakonisht serioz, sepse nuk kemi të bëjmë me një funksionar të zakonshëm, por me drejtuesen e institucionit përgjegjës për inteligjencën dhe sigurinë kombëtare.
Ja vlen dhe po e analizojmë më gjatë këtë rast.
Masa e arrestit në shtëpi dhe pezullimi nga detyra i drejtueses së SHISH-it, Vlora Hyseni, është një ngjarje që nuk mund të trajtohet si një kronikë e zakonshme penale.
Nëse dyshimet e ngritura nga hetimi i SPAK-ut për përkrahje të autorit të krimit dhe zbulim të të dhënave sekrete shtetërore provohen në gjykatë, atëherë Shqipëria do të përballej me një prej goditjeve më të rënda të mundshme ndaj vetë arkitekturës së sigurisë kombëtare.
Shtrojmë pyetjet:
Çfarë ka bërë kjo zyrtare?
Si mund të arrijë një njeri në majën e shërbimit inteligjent të një vendi anëtar të NATO-s dhe sipas dyshimeve të hetimit, të përfshihet në një skemë ku informacioni shtetëror mund të ketë dalë nga kanalet e tij të ligjshme?
Kjo duhet të zbardhet deri në fund.
Shërbim inteligjent nuk është një ministri e zakonshme, sepse informacioni që administron lidhet me sigurinë kombëtare, me partnerët ndërkombëtarë, me luftën kundër krimit të organizuar dhe mbrojtjen e institucioneve të shtetit.
Prandaj, nëse këto dyshime provohen, dëmi nuk do të ishte vetëm penal apo individual, por do të ishte dëm i madh institucional dhe strategjik.
Dhe pikërisht këtu qëndron skandali më i madh.
Shqipëria nuk mund të lejojë që kufiri midis shtetit dhe interesave private të bëhet i paqartë. Nuk mund të pranohet që informacioni shtetëror të shndërrohet në monedhë shkëmbimi për interesa kriminale, ekonomike apo politike.
SPAK vetë ka dokumentuar në raportet e tij se grupet kriminale të hetuara në Shqipëri kanë shfaqur struktura hierarkike dhe në disa raste, lidhje me përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, policisë, medias dhe administratës.
Kjo e bën edhe më të rëndësishme zbardhjen e plotë të kësaj dosjeje.
Besoj se është i pamjaftueshëm arresti i një apo disa personave, pasi duhet të zbulohet I gjithë rrjeti. Të zbulohet kush ka dhënë informacionin, kujt iu dha, çfarë informacioni ishte, për çfarë u përdor, kush përfitoi, kush e mundësoi?
Mbi të gjitha, a kemi të bëjmë me këtë rast individual apo do të jetë një mekanizëm më i gjerë i depërtimit të interesave kriminale në strukturat shtetërore?
Këto janë pyetjet që duhet tu marrin përgjigje hetimi dhe gjykata.
Pyetja tjetër themolore:
Si u arrit deri tek emërimi i saj në krye të SHISH-it?
Me sa dijmë, Vlora Hyseni u propozua nga Kryeministri në mars 2023 dhe u dekretua nga Presidenti në prill të atij viti. Para kësaj, ajo kishte pasur një karrierë në strukturat e sigurisë në Kosovë dhe kishte shërbyer edhe si këshilltare e sigurisë kombëtare e Kryeministrit shqiptar.
Kjo nuk do të thotë se mënyra e emërimit provon ndonjë fajësi. Por, në dritën e zhvillimeve të sotme, është krejt legjitime të kërkohet transparencë e plotë mbi procesin e përzgjedhjes, mbi kriteret, verifikimet e sigurisë dhe përgjegjësitë institucionale, sepse çdo shtet serioz nuk duhet të mbrojë individët, por institucionet.
Në këtë rast, dyshimi prek vetë majën e institucionit që duhet të mbrojë shtetin nga kërcënimet e brendshme dhe të jashtme dhe përgjigjja duhet të jetë e plotë, ligjore dhe pa asnjë mburojë politike.
Nëse akuzat provohen, atëherë nuk do të kemi vetëm një rast korrupsioni apo shpërdorimi detyre, por do të kërkohet përgjigja e pyetjes:
Pikërisht këtë duhet ta zbardhë drejtësia, pa propagandë politike dhe ta bëjë publike për gjithë opinionin

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu