Në një video në rrjete sociale, Rama ironizon Berishën ndërsa shton se hapja e një tjetër grupkapitulli është një dëshmi “kokëfortë” e rrugës së pandalur drejt BE. Sipas kryeministrit, konferenca e sotme tregon edhe njëherë angazhimin e palëkundur për të përmbyllur negociatat brenda 2027.
“Po si thanë qua qua qua e kënetës nuk ka më hapje kapitujsh, iku kjo punë e bllokoi BE narkoshtetin se vetë bufi shkoi në Evropë bashkë me qirje Dulen dhe as darkë më nuk i dhanë narkokryeministrit.
E pra ja ku jam rrugës nga Brukseli në Luksemburg, ku sot pasdite hapet grup kapitulli i tretë i negociatave me BE, si tjetër dëshmi kokëfortë se ne po ecim pa u ndalur në rrugën drejt majës së Shqipërisë 2030, zonjë në sallonin kryesor të BE.
Sot është një tjetër stacion që konfirmon se vetëm ne e dimë këtë rrugë dhe sot jemi një hap tjetër më pranë objektivit tonë madhor, mbyllja e negociatave të anëtarësimit brenda 2027.”, tha kryeministri.
Ai bën thirrje për unitet kombëtar për të arritur këtë objektiv ambicioz.
“Ky është objektiv super ambicioz por super i arritshëm vetëm nëse qëndrojmë bashkë por pa humbur për asnjë minutë lidhur dorë për dore dhe vazhdojmë me të njëjtin përkushtim, seriozitet dhe unitet kombëtar në këtë rrugëtim historik.
E ardhmja evropiane e Shqipërisë nuk është më aspiratë, por proces që po ecim përpara drejt portës së hapur për ne si asnjëherë më parë.
Ky është momenti unë dhe zoti e desh që fati evropian i Shqipërisë të jetë sot në dorën tonë. Le ta fitojmë së bashku bastin historik të Shqipërisë me Evropën dhe të Evropës me Shqipërinë.”, u shpreh kryeministri.