Kryeministri Rama ka sulmuar sërish partitë e vogla opozitare në vend, duke u shprehur se janë “farë e keqe që polli LSI-në”. Rama ka ironizuar duke thënë se nuk duhet lënë që të mbijnë.
“Ju e dini se ç’kemi hequr me atë farë të keqe, sot ajo farë e keqe nuk duhet lënë të mbijë dhe të marrë fushat shqiptare”, tha Rama nga Gjirokastra.
Kryeministri u shpreh se partitë e vogla s’kanë asnjë ofertë, duke i krahasuar me Partinë Demokratike. Rama i cilësoi si disa djem të rinj në moshë por jo në tru.
“Kanë ca djem të rinj, në moshë, por jo në tru, në tru janë të tërë bufa të vegjël”, u shpreh ai.
“I keni dëgjuar ata gjoja partitë e reja çfarë thonë ‘po na ra ne rasti, dhe nëse na japin votat shqiptarët për të mos lënë të bëhet qeveri do shkojmë në zgjedhje të parakohshme’. A ju kujton ndonjë gjë kjo? Ata që merren me bujqësi e dinë shumë mirë se çfarë është fara e keqe dhe është ajo farë e keqe që polli të ndjerën LSI. Ju e dini se ç’kemi hequr me atë farë të keqe, sot ajo farë e keqe nuk duhet lënë të mbijë dhe të marrë fushat shqiptare. Sepse s’kanë asnjë ofertë, asgjë të re, po atë gjuhë të kënetës, sharjet e akuzat e kënetës.
Këneta ka një buf të mbaruar që i fiken llambat në çdo 3 fjali, kurse ata kanë ca djem të rinj, në moshë, por jo në tru. Në tru janë të tërë bufa të vegjël”, deklaroi Rama.