Mesazhet e qarta që na vijnë sot nga përtej Atlantikut…!

0

Shkruan Azgan Haklaj

Dje i gjithë globi u njoh me vendimin e presidentit amerikan, Joe Biden, për tu tërhequr nga vendimi i tij për marrë pjesë në zgjedhjet e nëntorit për një mandat të dytë presidencial.

Natyrisht ky lajm u bë për pak minuta global, pasi bëhet fjalë për liderin e kryefuqisë së lirisë, demokracisë, ekonomisë botërore, ndaj dhe komentet e hamendësimet deri konspirative janë të shumta.
Edhe në Shqipëri po ashtu ka mendime e qëndrime që shprehen pa fund dhe kjo është e vetkuptueshme pasi njihemi si populli e kombi me pro-amerikan në planet.

Por në këtë shënim nuk e kam aspak aspak synimin të jap një opinion vetjak, por do të qasem në një kendvështrim të veçantë kontekstual e analitik me realitetin tonë në aq hapsirë e mundësi që të jep analogjia.
-Teksa në SHBA, tërhiqet një president në detyrë nga rikandidimi si Joe Biden, një ish president në vendin tim me të njëjtën moshë biologjike, jo vetëm kërkon rikthimin por dhunshëm ushtron pushtimin e falsifikimin për të uzurpuar kreun e PD-së, dhe lidershipin e opozitarizmit.

Ndërsa presidenti Biden në letrën e shkurtër me të cilën ju drejtua kombit materializon praktikën demokratike të qarkullimit të elitave duke promovuar Kamala Harris, Sali Barisha, ju turret me hordhi të dhunshme selisë së pasardhësit të vet legjitim Lulzim Basha.
Është tragjike e qesharake kur ndërsa sheh këtë model amerikan të kujtohen batakçinjtë e Sali Berishës që si jeniçerët e mesjetës, kacavireshin nëpër “bedena” për të pushtuar kala e fortesa.
Haptas presidenti Biden në vendimin e tij nënvizonte e merrte këtë hap në të mirë të partisë së tij dhe vendit, duke shprehur mirënjohjen ndaj tyre, ndërkohë që për Sali Berishën ky interes nuk është primar.
Primar është interesi e halli i tij vetjak, anipse PD-së po i serviret shkatërrimi e vendit destabilizimi.
Mjafon ky deduksion bazuar në një realitet të pamohueshëm në vendin tonë, për tu ndërgjegjësuar se sa prapa na kanë lënë në udhën e demokracisë kjo kastë mbi 30-të vjeçare, të cilës i prin Sali Berisha.

Eshtë koha sot që shembuj të tillë si ai i presidentit Biden të përbëjnë thelbin e reflektimit e të reagimit tonë.
E ky lloj reagimi e reflektimi më shumë se kujtdo tjetër në këtë vend ju takon demokratëve, sepse ne e krijuam PDSH-në si misionarë të demokracisë euroatlantike dhe në asnjë rrethanë nuk mund të ekzistojme si të tillë
as duke i injoruar ato dhe për më tepër për të qënë të padëshirueshëm prej tyre!

Është e pafalshme për ne si popull e si komb që me ndërgjegje e kemi pro-amerikanizmin e në gen oksidentalizmin, të lejojmë që ky lidership i vjetër, i zverdhur e i bjerrur si Sali Berisha, Edi Rama e Ilir Meta, në simfoni mes tyre, të krijojnë terrenin e deviacionit të demokracisë e instalimit të autokracisë sipas modeleve të përçudnuara cariste e sulltanore, Putin-Erdogan.

Eshtë po aq tablo qesharake sot të ndjekësh me fanatizëm rrugën e pa rrugë të Sali Berishës sa të hipësh mbi samarin e gomarit të Sanço Panços.
Nuk ka gjë më kriminale se sa për hir të rehatisë, të karrierizmit vetjak të heshtësh e të shesësh dokrra e parime të thata verbale.

Gjithmonë ka një ilaç për një semundje për ta lehtësuar, apo shëruar.
Gjithmonë ka një shteg dalje nga një rrethim, sado i egër qoftë.
Shpëtimi i vetëm sot është bashkimi i vullneteve e kauzave tona rreth euroatlantizmit.
Vetëm aty mundësohet diversiteti dhe shpresa demokratike për të ardhmen tonë e të brezave.
Pa dashur të bëj optimistin e pandreqshëm e aspak për eufori propagandistike, unë insistoj në bindjen time se ndyshimi po vjen.

Modelet si ato të SHBA-ve jetësohen rrufeshëm, e për me tepër në kontekstet e shekullit dixhital.
Asnjë përvojë e kaluar e secilit demokrat nuk ka pse të na stepë kur bëhet fjalë për kauza që duhet të prevalojnë përtej interesit tonë.

E gjej me vend që këtë apel për reflektim ta përmbyll me sentencën e një shkrimtari e mendimtari nga me modernët e shekullit të kaluar, Zhan Pol Sartri, i cili nënvizonte:
“Për të sjellë ndryshimin duhet të kapercejmë përvojat tona të përditshme dhe të angazhohemi me shoqërinë në nivel shumë më të thellë”.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu