Berlin- Kur u duk se gjithçka ishte harruar, befas videoja me protagonist një polic gjerman bëhet virale në Tik-Tok. Ndaj tij nisin hetimet.
Në video shihet polici gjerman që lëshon fyerje raciste ndaj një personi.
Sipas gazetës BILD, autoritetet kanë nisur një hetim ndaj policit në fjalë. Videoja është xhiruar nga personi i abuzuar.
“Ma hiq këtë celular m…,” thotë polici me uniformë. Pasi personi kundërshton, ai reagon sërish.
“Ik zhduku. Më mirë ik se do e harroj. Ik, kthehu te ai vendi yt i derrave”, thotë polici.
Sipas transmetuesit Hessen Schau, ngjarja ka ndodhur në vitin 2020. Video e policit 34-vjeçar u hodh fillimisht në YouTube, por kaloi pa zhurmë. Kur video u ripostua në TikTok, ajo u bë virale.
Mediat gjermane shkruajnë se viktima e racizmit është një shqiptar, i cili për momentin ndodhet në Shqipëri. Ai nuk ka ngritur një padi, por autoritetet i kanë bërë thirrje që ta bëjë diçka të tillë.
Edhe pse shqiptari mendohet se ishte problematik, policia thotë se një sjellje e tillë nga uniformat blu është plotësisht e papranueshme. “Edhe në situatat më të vështira, ne duhet të ruajmë qetësinë,” tha një zëdhënës i policisë.