Sekretari amerikan i Mbrojtjes shtrohet në spital

0

Një zëdhënës i Pentagonit tha se sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin u dërgua në spitalin ushtarak Walter Reed të dielën për trajtimin e “simptomave që tregojnë për një problem emergjent të fshikëzës”.

“Zëvendëssekretari i Mbrojtjes dhe shefi i Shtatmadhorisë janë njoftuar. Për më tepër, janë njoftuar edhe Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi”, tha në një deklaratë me shkrim zëdhënësi i Pentagonit, gjeneralmajori Pat Ryder.

Më vonë, zëdhënësi Ryder publikoi një deklaratë tjetër, duke thënë se rreth orës 17:00 të së dielës sekretari Austin ia transferoi “funksionet dhe detyrat” zëvendës sekretares së Mbrojtjes, Kathleen Hicks.

Zyrtarët në Qendrën Mjekësore Ushtarake Walter Reed thanë se sekretari Austin u shtrua në spital pasi iu nënshtrua analizave mjekësore.

“Tani për tani nuk është e qartë se për sa kohë sekretari Austin do të qëndrojë i shtruar në spital”, thanë zyrtarët në një deklaratë. “Çështja e fshikëzës nuk pritet të ndryshojë shërimin e tij. Parashikimet mbeten të shkëlqyera”.

Në fund të vitit të kaluar, Austin u diagnostikua me kancer të prostatës. Ai u kritikua që e mbajti fshehtë një gjë të tillë.

Më 1 shkurt, sekretari Austin, 70 vjeç, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se kur mori vesh për diagnozën, “ishte tronditur” dhe ideja e parë ishte “ta mbante të fshehtë”.

“Dua të jem i qartë, ne nuk e trajtuam këtë si duhet. Unë nuk e trajtova si duhet. Duhet t’i kisha thënë presidentit për diagnozën time. Duhet t’i kisha thënë gjithashtu ekipit tim dhe publikut amerikan, dhe e marr përsipër përgjegjësinë e plotë”, tha sekretari Austin më 1 shkurt. “U kërkoj ndjesë shokëve të mi të skuadrës dhe popullit amerikan”.

Pasi u diagnostikua me kancer të prostatës në fillim të dhjetorit, ai u shtrua në një spital për një procedurë kirurgjikale më 22 dhjetor. Sekretari Austin punoi nga shtëpia në javën pas ndërhyrjes, raportoi agjencia Associated Press.

Sekretari Austin u dërgua serish me 1 janar dhe kaloi dy javë të tjera në spital pasi përjetoi dhimbje të mëdha dhe u shtrua në njësinë e kujdesit intensiv.

Presidenti Joe Biden dhe udhëheqës të tjerë u informuan për diagnozën e sekretarit Austin më shumë se një javë pasi ai u rishtrua në spital. /VOA

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu