Sistemit financiar shqiptar do t’i shtohet për herë të parë edhe një bankë tërësisht dixhitale. Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të japë miratimin paraprak për liçencimin e Jet Bank për të ushtruar veprimtari bankare dhe financiare në Republikën e Shqipërisë.
“JET Bank synon të jetë banka e parë në Shqipëri që operon në mënyrë tërësisht digjitale, duke kombinuar një teknologji të avancuar me një model të thjeshtë, të sigurt dhe të përqendruar te klienti. Misioni i saj është të prezantojë një model të ri shërbimi financiar, të ndryshëm nga modelet tradicionale bankare,” thuhet në vendimin e Këshillit Mbikqyrës të BSH.
Ligji “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, përcakton se licencimi i bankave kalon në dy faza: miratimi paraprak i licencës dhe dhënia e licencës.
Sipas ligjit, dega e bankës së huaj që ka marrë miratimin paraprak për licencë, brenda 12 muajve duhet të plotësojë të gjitha kushtet e parashikuara në ligjin “Për bankat në Republikën e Shqipërisë” dhe aktet nënligjore në zbatim të tij, në mënyrë që të pajiset me licencën për fillimin e veprimtarisë bankare.
Avantazh në kohë dhe kosto më të ulëta
JET Bank bëhet subjekti i dytë që merr miratimin paraprak nga Banka e Shqipërisë për të hyrë në tregun bankar, gjatë muajve të fundit, pas bankës turke Ziraat. Këto dy miratime e çojnë numrin e bankave në tregun shqiptar në 13.
Pas një faze të gjatë konsolidimi, ku numri i bankave në vend u ul ndjeshëm për shkak të bashkimeve ose blerjeve, me sa duket sistemi financiar shqiptar ka hyrë sërish në cikël ekspansioni me hyrjen e aktorve të rinj në treg.
Jet Bank zotërohet nga një grup biznesmenësh britanikë. Ajo përbën një risi në treg, pasi është banka e parë tërësisht dixhitale, çka i jep asaj avantazhin e kohës, por edhe kostove. Përgjithësisht bankat dixhitale ofrojnë shërbime me kosto më të ulët për klientët, por edhe pa patur nevojën e pranisë së tyre fizike nëpër sportele.
Me sa duket këto janë dhe avantazhet përmes të cilave Jet Bank synon të hyjë në tregun e populluar të bankave në Shqipëri.








