Për pothuajse 24 orë, mjekja Mereme Sela, ishte kandidate në postin e kryetarit të PD-së, në garën që do të mbahet më 23 maj, ku ajo rivalizonte Sali Berishën. Por Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, në një vendim unanim nuk ka lejuar që Sela të garojë, me argumentet se ajo nuk plotëson kriterin e figurës me profil shumë të lartë publik dhe politik, si dhe atë të eksperiecës drejtuese elektorale ne nivel kombëtar apo rajonal.
Pas këtij vendimi, ajo ka reaguar, duke e cilësuar si të papranueshëm dhe të padrejtë skualifikimin e saj nga gara. Madje Sela në reagimin e saj shprehet se nëse do të kishte një vlerësim të drejtë, personi që duhet të skualifikohej nga gara është Sali Berisha.
“Njoftimin për skualifikimin e kam marrë përmes mediave, ç’ka në vetvete është e papranueshme. Ky vendim është i padrejtë dhe i pajustifikuar. Përkundrazi, nëse do të kishte një vlerësim të drejtë dhe në përputhje me Statutin e partisë, personi që duhej të ishte subjekt skualifikimi është profesor Berisha.
Do të ndjek të gjitha procedurat ligjore në dispozicion dhe do të paraqes ankesën time zyrtare. Megjithatë, bazuar në përvojat e mëparshme, nuk pres një reagim apo përgjigje serioze nga Partia Demokratike, pasi kjo ka qenë një praktikë e përsëritur ndër vite. Kjo mënyrë veprimi është një ndër arsyet kryesore pse Partia Demokratike ndodhet në këtë situatë sot”, shprehet Sela








