Shkruan Zef Ndreka
– Mirdita nuk ka nevojë të zvogëlojë askënd për tu ndier e madhe. Mjafton të dijë të ruajë veten.
– Mirdita është mbi të gjitha një provë e kujtesës shqiptare dhe një amanet për brezat.
Në rrjetet sociale këto ditët e fundit janë intensifikuar deklarata që fyejnë Mirditën, pa argumente, pa fakte historike dhe pa më të voglin respekt për dinjitetin njerëzor.
Është pretenduar për origjinën e mirditorëve, janë përdorur foto të manipuluara me inteligjencë artificiale apo etiketimet fyese mbi bazë fetare e krahinore, kryesisht nga fundamentalisti Olsi Jazenxhi dhe ndjekës të tij.
Këto kanë shkaktuar realisht reagime të shumta në opinionin publik, veçanërisht në Mirditë, që lidhën me interpretime pa baza të verifikueshme historike për të mbështetur teza mbi origjinën e Mirditës dhe mirditorët.
Megjithse dihet se Mirdita ka një histori të njohur të qëndresës, të ruajtjes së traditave dhe të bashkëjetesës shqiptare, përsëri bëhen përpjekje duke përdorur gjuhë fyese, për të mohuar identitetin e një krahine apo për të nxitur ndasi fetare dhe krahinore, gjë që dëmton harmoninë që shqiptarët kanë ndërtuar ndër shekuj.
Sigurisht, për këtë, përsonat e cënuar nga shpifja, nga gjuha e urrejtjes, nga diskriminimi apo manipulimi i figurave të tyre, rruga do të jetë përballja ligjore.
Por për të kaluar tek peoblemi real, që lidhet me titullin e ketij shkrimi, mjafton të kujtojmë Prof.dr. Lisen Bashkurtin, i cili ka përmbledhur gjithçka për Mirditën dhe historinë e saj.
Komenti mbi deklaratat e profesorit, do të ishte replika më e mirë, më e drejtë dhe më e qartë për Olsi Jazenxhi@compani.
Prof. Dr. Lisen Bashkurti ka thënë shumë më tepër se një lavdërim për Mirditën.
Këndvështrim i tij është një përpjekje për ta parë Mirditën një shtyllë të kujtesës, të identitetit dhe vazhdimësisë shqiptare, ndryshe nga disa agjent shqipfolës që me paturpësinë ekstreme përpiqen ta denigrojnë në mënyrat e tyre.
Jo më kot ka dalë nga mendja e profesorit fjalia e fuqishme:
“Nëse jemi shqiptarë, jemi se kemi Mirditë.”
Kjo fjali, tingëllon një pohim i madh, por kuptimi i saj nuk qëndron tek përjashtimi i krahinave të tjera shqiptare, por tek vlerësimi i një treve që ka ruajtur për shekuj e shekuj një identitet të fortë shoqëror, kulturor e moral.
Është për tu theksuar se Mirdita është vërtet një nga ato vende ku historia nuk gjendet vetëm në libra, në kisha, në kulla apo në dokumente të lexuara e të pa lexuara ende.
Mirdita është e mishëruar në kujtesën familjare, në zakone, në gjuhë, në marrëdhëniet njerëzore dhe në mënyrën e të jetuarit.
Prandaj ideja e “historisë vertikale” që përmend prof. Bashkurti është mjaft interesante. Sepse Mirdita ka një histori që nuk ecën vetëm përpara, por ngrihet brez pas brezi, duke përcjellë kujtesën dhe identitetin, që realisht i terbon disa shqipfolës.
Pjesa më e rëndësishme e mesazhit të prof. Bashkurtit sipas meje, është:
“Nëse jemi ato që duhet të jemi, do jemi nëse e ruajmë Mirditën.”
Kjo zhvendos çdo debat dhe bisedë për Mirditën dhe mirditorët nga krenaria tek përgjegjësia. Sepse asnjë krahinë nuk ruhet duke e idealizuar, as duke e mbyllur në një të kaluar romantike. Çdo krahinë, ashtu si edhe Mirdita, ruhet duke mbrojtur së pari trashëgiminë, gjuhën, traditën dhe kujtesën, por edhe duke luftuar për ti dhënë asaj jetë në të tashmen dhe të ardhmen.
Dhe pa asnjë dyshim, këtu qëndron vlera e vërtetë e Mirditës, duke e parë me syrin, jo vetëm se çfarë ka qenë, por çfarë mund të vazhdojë të jetë për gjithë shqiptarët.
Një zonë, një krahinë apo një vend kushdo qoftë, nuk bëhet i madh vetëm nga lashtësia e tij, por bëhet i madh kur brezat e rinj ndihen përgjegjës për ta trashëguar atë, siç po ndodh realisht me Mirditën.
Mirdita nuk ka nevojë të zvogëlojë askënd për tu ndier e madhe. Mjafton të dijë të ruajë veten. Sepse kur një krahinë apo një popull humbet kujtesën e vet, nuk humbet vetëm të kaluarën, por rrezikon të humbasë një pjesë të së ardhmes së vet.
Prandaj, mund ta themi me zë të lartë, se Mirdita është edhe një emër gjeografik, por mbi të gjitha, është një provë e kujtesës shqiptare dhe një amanet për brezat.







