Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri ka komentuar gjatë një komunikimi me mediat zhvillimet e fundit politike në vend.
I pyetur nga gazetarët në lidhje me akuzat e ngritura së fundi ndaj kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili u akuzua edhe nga PD se ka porositur vrasjen e avokatit Ravit Gurra, Gjiknuri nuk preferoi të bënte komente duke thënë se nuk kishte dëshirë të merrej me deklarata të mediave. Mes të tjerash ai tha se kjo pyetje iu duhet bërë personave konkretë.
“Nuk dua të merrem me deklaratat e mediave, nuk di vërtetësinë e tyre. PS është një parti e fortë, bazohet te vullneti i njerëzve dhe nuk njolloset nga akuzat që mund të bëhen nga media apo qarqe të caktuara”, tha Gjiknuri. Në lidhje me protestën e datës 6 dhjetor të thirrur nga Partia Demokratike numri dy i socialistëve tha se qeveria nuk ka bërë asnjë hap që të pengojë protestën. Ai shtoi se nuk është e udhës që të protestohet në ditën që në Shqipëri do të vijnë liderët e BE-së.