“Zyrtarët e shtetit që do të presin Evropën demokratike janë ujqër të vjetër të veshur me lëkurën e qengjit”, kështu u shpreh ish-drejtori i emergjencave Shemsi Prençi, teksa komentoi samitin BE-Ballkan Perëndimor.
Në një intervistë për Euronews Albania, Prençi theksoi se sot ata që janë në pushtet hiqen sikur e duan Evropën, por nga ana tjetër kanë marrëdhënie vëllazërore me Aleksandër Vuçiç, referuar Edi Ramës.
“Së pari unë e përshëndes samitin që do mbahet në Tiranë, është një risi dhe do të ndikojë pozitivisht. Protestën e datës 6 dhjetorit do ta bëjnë ata që e duan më shumë Evropën dhe Amerikën. Sot të gjithë bëjnë thirrje që me datë 6 të presin botën perëndimore demokratike, si mysafyrë për Shqipërinë dhe për Ballkanin.
Ne jemi zvarritur shumë për të shkuar te Evropa dhe zyrtarët e shtetit që sot do të presin Evropën demokratike janë ujqër të vjetër të veshur me lëkurën e qengjit. Sot që janë në pushtet, duke shtypur totalisht me të gjitha qelizat e pushtetit opozitën, hiqen sikur e duan Evropën. Ne kemi Berlinin për të shkuar drejt Evropës dhe jo “Open Balkan”. Evropën ata që kanë lidhur vëllazëri me Vuçiç që ka ndërtuar ‘Open Balkan’- theksoi Prençi.