Sa më shumë kohë kalojnë në pushtet, aq më e vështirë po bëhet për rilindasit që të ruajnë sensin e realitetit.
Edhe më e rëndë peshon kjo sfidë për ata që nuk e kanë konstruktin mendor për të përballuar dehjen nga karrigja. Mes tyre është radhitur edhe Ulsi Manja të cilin jo më kot Lolita e ka kthyer personazh të faqes së saj.
Ai është ngërthyer sot në një debat me kundërshtarët e vet demokratë, që po i bënin jehonë investigimit të RAI 3, që e akuzonte Edi Raman se ka ngritur një narko shtet. Pas e akuzoi Edmon Spahon se ai dhe PD paguanin RAI-n dhe BILD-in, Ulsi nxori nga goja perlën e rrallë: “Po si qenka Shqipëria narkoshtet, po të ishte e tillë, nuk do të vinin 10 milionë turistë në vit”.
Megjithatë, kapaciteti fëmijënor i logjikimit të ministrit të drejtësisë, nuk është një virus që ka mbirë në tokë djerrë. Ai ka precedentë.
Prej më shumë se një viti propoganda e regjimit i ka detyruar TV Kombëtare dhe mediat e vogla që ka nën kontroll të japin me detyrim çdo ditë kronika për sukseset e Shqipërisë turistike.
Dhe ato, që me një batutë të spikatur lideri i opozitës Sali berisha i ka etiketuar si “teleturizmi”, e bëjnë me devotshmëri punën e tyre. Aq me zell sa spektatorë si Manja fillojnë i besojnë asaj që shohin në ekrane edhe pse e dinë që ajo është një propagandë e transmetuar me urdhër.
Por, sado qesharake të duket logjika e Ulsit se këtu nuk ka mafie pasi kanë ardhur turistë, ai ende nuk e ka kapur vendin e parë në klasifikimin e debilizimit. Aty qëndron e palëvizur ministrja e shtetit Elisa Spiropali, që ia mveshi sukseset e Shqipërisë turistike, rolit të Skënderbeut të saj në betejat që zhvillon në arenën ndërkombëtare.
Duke folur në kongresin e PS ajo nuk harroi të thoshte se rritja e numrit të turistëve ka ardhur edhe falë fjalimit të Edi Ramës në OKB, i cili i theu hundët ambasadorit rus në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Këtej e tutje nuk do të jetë çudi që të dëgjojmë edhe se inceneratorët po punojnë, pasi përndryshe nuk do të vinin turistë; se Veliaj, Molla dhe Qato nuk kanë vjedhur me 5D, pasi përndryshe Tirana nuk do kishte grupe me të huaj; se tokat e jugut nuk janë rrëmbyer, pasi po të kishte ndodhur mediat italiane dhe britanike nuk do lavdëronin brigjet e Jonit.
Shpifje të tilla mund ti prodhojnë vetëm kazanë si RAI 3, që sipas Ulsiut, është i blerë nga PD-ja.