Ambasadori i SHBA-së në Beograd Christopher Hill, ka deklaruar se Serbia duhet t’u shpjegojë më mirë partnerëve të saj se çfarë po përpiqet të bëjë, cilat janë problemet me të cilat po përballet, por edhe të jetë e qartë në dëshirën dhe vendosmërinë e saj për të vazhduar ecjen në rrugën evropiane.
“Ka njerëz që besojnë se Serbia nuk do të vazhdojë rrugën evropiane. Nga të tjerë dëgjohet se BE-ja nuk do ta integrojë Serbinë, pasi ka shumë mosbesim” – tha Hill në një panel ku folën edhe shefi i delegacionit të BE-së në Serbi, Emanuele Giofre dhe ministrja serbe për integrime Tanja Miščević
“Serbia duhet ta paraqesë më mirë rastin e saj, cilat janë aspiratat e saj, çfarë synon, pasi situata duhet të jetë e qartë” – theksoi Hill dhe konsideroi shumë të rëndësishme që Serbia të ketë të gjitha atributet për anëtarësim.
Ambasadori shtoi se duhet bërë e ditur se sa shumë ka bërë Serbia për sigurinë energjetike dhe sa ajo po shtyn në fushën e energjisë së gjelbër.
Më herët ambasadori amerikan pati deklaruar se ajo që ka ndodhur në Banjskë të Zveçanit, ku Milan Radojiçiç organizoi bandë terroriste për të sulmuar Kosovën, përmes financimit të Serbisë, nuk guxon të ndodhë kurrë më.
I pyetur nese ka ndonje deklaratë për faktin se Radoicic ende nuk është arrestuar dhe qarkullon I lire, Hill ka thënë se nuk dëshiron të flas shumë për këtë çështje, kjo pasi “qëndrimet e SHBA janë shumë të qarta” dhe ka deklaruar se “ka një proces ligjor që është duke u zhvilluar”, prandaj “nuk I takon të bëj ndonjë koment”. Megjithatë, ka përsëritur, atë që zyrtarisht e ka thënë shteti amerikan, se “duhet të ketë llogaridhënie”.
Hill u pyet edhe për dialogun që Kosova e zhvillon me Serbinë në Bruksel dhe përformancën e ndërmjetësve që shpesh duket se kanë humbur kursin me palët.
Hill pati fjalë të mira për ndërmjetësuesin e Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, për të cilin tha se “të gjithë ne jemi me fat që e kemi një njeri si Lajçak në dialog, i cili është duke punuar ne këtë proces”, prandaj “duhet ta përkrahim”.
Duke folur për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, ambasadori pohoi se “është sipas standardeve të Bashkimit Europian”
Hill foli edhe për çështjen e Ballkanit të Hapur, nismë rajonale e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut e Serbisë, por që Kosova e kundërshton.
“Unë jam përkrahës i Ballkanit të Hapur” – ka thënë Hill, duke shtuar se “Ballkani Hapur ka të bëjë me problemet e qytetarëve” dhe “me investime në rajon”.