Kongresmeni republikan, Byron Donalds reagoi pasi presidenti në largim në SHBA, Joe Biden, vendosi të nderojë megadonatorin majtist George Soros me medaljen më të lartë civile, të njohur si Medalja Presidenciale e Lirisë.
Donalds tha se ky është një vendim i çmendur.
Në një intervistë për Fox News, kongresmeni tha se në këtë vendim ka ndikuar familja e Biden.
“Kjo është një tragjedi për vendin tonë. Dhe kjo nuk është për të bërë politikë, në fakt është e trishtueshme të shohësh se çfarë i ka ndodhur atij nga pikëpamja shëndetësore gjatë këtyre viteve. Por është stafi i tij dhe, sinqerisht, një pjesë e familjes së tij që po menaxhon të gjitha këto gjëra nga prapaskenat”, tha ai.
Donalds arriti në përfundimin se Biden dhe demokratët po përdorin ditët e tyre të fundit në pushtet për të shpërblyer aleatët e tyre
Edhe ish-kandidatja presidenciale e republikanëve, Nikki Haley, shprehu kritika të ngjashme për nderimin e Soros nga Biden, duke e quajtur atë “një shuplakë tjetër në fytyrën e Amerikës”.