Shkruan Qamil Gjyrezi
Dje është ndarë nga jeta, një prej pedagogëve më të shquar të Universitetit të arteve në Tiranë, Kristo Dako. Në faqen zyrtare në FB, të Universitetit të arteve në Tiranë shkruhet: ‘Ndahet nga jeta në moshën 82 vjeçare, muzikanti i mirënjohur Prof. Kristo Daku. Me trishtim të madh morëm lajmin e ndarjes nga jeta të Kolegut tonë të dashur, muzikantit dhe mikut të mirë, Prof. Kristo Daku.
Prof. Kristo Daku lindi në 20.04.1942. Pasi përfundoi Liceun Artistik në vitin 1959, vazhdoi studimet për Klarinetë në Konservatorin e Tiranës, duke i përfunduar ato në vitin 1966. Ka qënë i emëruar klarinetë e parë në TOB, duke vazhduar më tej karrierën e tij si pedagog në Fakultetin e Muzikës të Institutit të Lartë të Arteve, sot Universiteti i Arteve Tiranë, deri sa doli në pension.
Gjatë gjithë kohës, është karakterizuar nga studentët dhe kolegët e tij për urtësi, seriozitet e cilësi e lartë në mësimdhënie, duke diplomuar kështu dhjetra e dhjetra instrumentistë. Për punë të shquar pedagogjike, në vitin 2000 iu akordua titulli “Profesor i Asociuar” si dhe në vitin 2007 titulli “Profesor”. Universiteti i Arteve i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe dashamirësve të tij’.
Profesor Kristo Daku në të gjithë vitet e tij të punës, mësimdhënies është shquar për aftësitë profesionale dhe njerëzore.
Krahas mësimdhënies, Prof. Daku ishte shumë serioz me ish-studentët edhe në zboret dhe aksionet e periudhës të viteve 90-të. Profesor Kristo shquhej edhe për anën e tij shumë njerëzore, duke qëndruar afër studentëve të veglave të frymës dhe veçanërisht klarinetës. Kristo Dako i respektonte dhe vlerësonte të gjithë studentët nga e gjithë Shqipëria, por kishte raporte shume te mira me instrumentistët e frymës nga Shkodra, veçanërisht në instrumentin e klarinetës.
Falë bashkëpunimit me Profesor Matish Troshani, ish-mësuesi i klarinetës në në shkollën artistike ‘Prenkë Jakova’ Shkodër, Prof. Kristo kishte një raport shumë miqësorë me muzikantët nga Shkodra, duke e ruajtur këtë traditë deri sa doli në pension në Universitetin e Arteve në Tiranë. Prof Kristo Dako është shquar për nivel të lartë mësimdhënie në instrumentin e klarinetës, por kishte edhe një formim të lartë muzikorë, falë studimeve të tija në instrument dhe lojës së klarinetës së parë në TOB, disa vite. Prof. Kristo e njihte shkëlqyer repertorin e operave botërore dhe shqiptare, që ndikonte në formimin e tij artistik. Kristo Dako përfaqëson pedagogun dhe muzikantin me shumë vlera dhe njeriun me karakter të lartë e personalitet të theksuar e serioz, mbi të gjitha njerëzorë dhe artist në shpirt.
Promoted Content