Në vijim të aksionit të bashkimit të demokratëve dhe protestës së paralajmëruar të 20 Shkurtit, kreu i grupit parlamentar opozitar të Rithemelimit, Gazmend Bardhi dhe deputeti Flamur Noka kanë shkuar së bashku për herë të parë në Elbasan pas bashkimit të dy grupimeve.
Gazmend Bardhi e cilësoi detyrë ndërgjegjësimin e çdo qytetari, por edhe çdo demokrati që ende nuk e ka kuptuar se përçarja e opozitës nuk është rruga e duhur.
Luçiano Boçi në fjalën e tij u shpreh besimplotë se deputetët demokratë do të dinë të shpëtojnë parlamentarizmin dhe demokracinë ndërsa bëri thirrje për protestën e 20 Shkurtit të cilën ai e cilësoi më të madhen ne histori.
Sekretari i Përgjithshëm i PD Flamur Noka nuk kurseu akuzat direkte ndaj Kryeministrit Edi Rama duke përmendur, sipas tij, edhe aferat më të mëdha korruptive.
Në takimin e zhvilluar në Elbasan opozitarët i bënë thirrje çdo demokrati dhe qytetari t’i bashkohet protestës së 20 Shkurtit, si e vetmja mundësi për t’i thënë jo largimit të shqiptarëve dhe krijimit të një të ardhme europiane në Shqipëri.