Kreu Aktualitet Politika e Kosovës duhet të jetë e kujdesshme

Politika e Kosovës duhet të jetë e kujdesshme

0
1

Shkruan Zef Ndreka

– Kosova nuk ka nevojë tani për një luftë të re me institucionet ndërkombëtare, por ka nevojë për një betejë shumë më të vështirë, që të bindë institucionet ndërkombëtare.
Pas vendimit të 16 shtatorit 2026, çështja ka hyrë në një fazë edhe më të ndërlikuar.
Gjykata Speciale dënoi në shkallë të parë Hashim Thaçin me 25 vjet, Kadri Veselin me 18, Rexhep Selimin me 13 dhe Jakup Krasniqin me 25 vjet.
Por vendimi nuk është përfundimtar dhe mund të ankimohet. Ndërkohë është e rëndësishme është se katër të akuzuarit u shpallën të pafajshëm për gjashtë akuzat për krime kundër njerëzimit.
Në këtë kontekst, mendoj se kërkesa për zhbërjen e Gjykatës Speciale duhet parë me shumë kujdes. PDK ka paraqitur tashmë një nismë për ndryshimin e kuadrit ligjor të Dhomave të Specializuara.
Ndër propozimet e raportuara është edhe ndryshimi i funksionit të Gjykatës Supreme dhe krijimi i një mekanizmi ndërkombëtar mbikëqyrës.
Por kjo është një betejë tjetër nga beteja juridike e Apelit.
Kjo është situata deri më tani.
Ta analizojmë, çfarë pritet të ndodhë?
Gjykata e Hagës, pas vendimit është shprehur se beteja tani është tek Aoeli dhe tek Diplomacia.
Pas vendimit të shkallës së parë në Hagë, Kosova ndodhet përballë një prej momenteve më të vështira juridike dhe politike që prej përfundimit të luftës.
Dënimi i katër prej figurave qendrore të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, ka tronditur një pjesë të madhe të opinionit në Kosovë. Edhe njerëz që kanë qenë politikisht në kundërshtim me ta e kanë përjetuar vendimin si një goditje të rëndë emocionale dhe historike.
Por tani duhet bërë një dallim i domosdoshë. Betejë për drejtësinë e çështjes në Apel nuk është e njëjta gjë me betejën politike për shfuqizimin e Gjykatës.
Kjo e fundit mund të prodhojë debat politik, por nuk e ndryshon aspak vendimin e shkallës së parë. Vendimi i 16 shtatorit është ende i apelueshëm. Pra, rruga që mund të ndryshojë fatin juridik të Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit është para së gjithash rruga e ankimit dhe argumentimi juridik përpara institucioneve kompetente të Dhomave të Specializuara.
Dhe pikërisht këtu duhet të përqendrohet energjia më e madhe.
Mbrojtja do të ketë mundësinë të kundërshtojë interpretimin e provave, përgjegjësinë individuale, lidhjet shkakësore, standardin e provës dhe mënyrën se si është zbatuar ligji. Apeli mund të konfirmojë, ndryshojë ose rrëzojë pjesë të vendimit. Në këtë fazë askush nuk mund të parashikojë me siguri se cili do të jetë rezultati.
Prandaj edhe politika e Kosovës duhet të jetë e kujdesshme që të mos e zëvendësojë betejën juridike me një betejë institucionale që mund të jetë e pafrytshme.
Gjykata Speciale nuk u krijua jashtë sistemit juridik të Kosovës. Ajo u themelua mbi bazën e ndryshimeve kushtetuese dhe ligjit të miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015.
Kjo është edhe arsyeja pse një përpjekje parlamentare për ta çmontuar tani duhet analizuar jo vetëm politikisht, por edhe në aspektin kushtetues, juridik dhe ndërkombëtar.
Kosova nuk duhet të duket sikur po kërkon të ndërpresë një proces gjyqësor sepse rezultati i shkallës së parë nuk i pëlqeu. Ajo duhet të tregojë se beson tek e drejta për një proces të rregullt, tek apeli dhe tek argumenti juridik.
Kjo nuk do të thotë se duhet të heshtë, përkundrazi.
Tani është koha për një ofensivë të fuqishme diplomatike dhe politike.
Jo për tu kërkuar gjyqtarëve se çfarë vendimi duhet të marrin, por për të vendosur në tavolinat e diplomacisë çështjen më të gjerë që është raporti midis drejtësisë ndërkombëtare, historisë së luftës së Kosovës, përgjegjësisë individuale dhe sjelljes që mund të krijohet nëse veprimet individuale të disa ish-drejtuesve interpretohen politikisht si njollë mbi të gjithë UÇK-në apo mbi vetë luftën çlirimtare.
Ky dallim është më i rëndësishmi dhe më thelbësor.
Vetë trupi gjykues, sipas njoftimit zyrtar, nuk i dënoi të akuzuarit për krime kundër njerëzimit në gjashtë pikat përkatëse, ndërsa i shpalli përgjegjës për katër kategori krimesh lufte.
Prandaj, edhe beteja e Kosovës duhet të jetë e artikuluar, ku përgjegjësia penale është individuale, ku historia e UÇK-së dhe lufta e Kosovës janë çështje tjetër.
Në këtë pikë duhet të angazhohen jo vetëm partitë politike në Prishtinë, por edhe Tirana zyrtare, parlamentet, diplomacia shqiptare dhe kosovare, miqtë ndërkombëtarë të Kosovës dhe veçanërisht rrjetet diplomatike në Uashington dhe kryeqytetet evropiane.
Kjo nuk është çështje që zgjidhet me një rezolutë parlamentare në Prishtinë.
As me protesta e me një deklarata politike.
Dhe aq më pak me presion ndaj gjykatës.
Beteja reale është shumë më e gjatë. Apeli, diplomacia, argumenti juridik, komunikimi ndërkombëtar dhe mbrojtja e dallimit midis përgjegjësisë individuale dhe legjitimitetit historik të luftës së Kosovës.
Edhe një element duhet mbajtur parasysh: vendimi i shkallës së parë nuk e mbyll çështjen. Vetë statusi procedural e përcakton atë si vendim jo përfundimtar.
Prandaj, sot nuk është momenti për të shpallur të humbur betejën.
Por as për të krijuar iluzionin se Apeli do ta ndryshojë domosdoshmërisht vendimin.
Apeli është shpresa juridike, por jo garancia juridike.
Ndërsa diplomacia është fusha ku Kosova duhet të shpjegojë me qetësi, argument dhe dokumente se çfarë nënkupton ky proces për shtetin, shoqërinë dhe kujtesën historike të Kosovës.
Europa dhe Perëndimi nuk mund të shihen vetëm përmes emocionit të momentit. Kosova ka qenë dhe mbetet një çështje e lidhur ngushtë me rendin ndërkombëtar që e çoi drejt çlirimit dhe pavarësisë. Pikërisht për këtë arsye, beteja e saj duhet të zhvillohet brenda atij rendi, me argumentet e tij dhe në gjuhën e tij.
Kosova nuk ka nevojë tani për një luftë të re me institucionet ndërkombëtare, por ka nevojë për një betejë shumë më të vështirë, që të bindë institucionet ndërkombëtare.
Dhe kjo betejë sapo ka filluar.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu