Me sloganet “dorëheqje, dorëheqje” dhe “agjent rus” në mbarë vendin demonstruesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit të Sllovakisë Robert Fico. Vetëm në Bratislavë, sipas vlerësimeve të faqes së internetit Dennik N në sheshin e lirisë u mblodhën 42.000 deri në 45.000 vetë. Sipas organizatorëve është protestuar në 41 zona në mbarë vendin si dhe në 13 qytete jashtë Sllovakisë.
Këto kanë qenë protestat më të mëdha që nga viti 2018, kur vrasja e një reporteri investigativ dhe të fejuarës së tij shkaktuan indinjatë dhe protesta masive në vend. Për manifestimet e protestave paqësore nën moton “Sllovakia është Europë!” kanë bërë thirrje grupime të ndryshme opozitare dhe nisma qytetare “Mier Ukrajine” (Paqe Ukrainës), që angazhohen për një mbështetje më të fortë ushtarake ndaj vendit fqinj.
Vala e fundit e protestave kundër qeverisë populiste të majtë u ndez pas një vizite të Ficos në Moskë dhe bisedimeve që ai zhvilloi me presidentin rus Vladimir Putin. Qeveria e justifikoi këtë, se ky udhëtim diplomacie i ka siguruar vendit të BE-së furnizimin me gaz.
Indinjata e pjesëmarrësve në protestë drejtohej edhe kundër deklaratës së Ficos, sipas të cilit Sllovakia për shkak të orientimit në politikën e jashtme mund të shkëputet nga BE dhe NATO. Demonstruesit kërkojnë t’i jepet fund menjëherë çdo lloj bashkëpunimi me Rusinë. Ata akuzojnë kryeministrin se po bashkëpunon me autokratët dhe vet do ta shndërrrojë Sllovakinë në një autokraci.