Deputetja e PS-së, Klotilda Bushka, e cila u mor nën hetim nga SPAK, pasi akuzohet se asgjësoi provat për Ajola Xoxën dhe Erion Veliaj, u shpreh se Ina Goxhajn e ka kushërirë.
Ajo theksoi në mbledhjen e Grupit të PS-së që thjesht e këshilloi, duke u justifikuar se “kam lidhje familjare dhe lidhje gjaku”.
Sipas Bushkës, ajo i kërkoi kushërirës së saj që të thotë të vërtetën dhe nuk e ka penguar të thotë asgjë, por ia hodhi fajin SPAK duke pretenduar se i kanë ushtruar presion.
“Nuk di ta shpjegoj e çfarë mund të ketë ndodhur në Prokurori, çfarë presioni trysnie mund të ketë ndjerë kushërira ime që në deklaratat tona private ajo i ka sjellë e përcjellë në kontekst tjetër”, tha Bushka.
Klotilda Bushka: Sa i përket pretendimit për pengim të së vërtetës, po unë e kam takuar vajzë bë fjalë si një person m të cilin kam punuar dikur dhe kam lidhje familjare dhe lidhje gjaku, Ina Goxhaj është kushërira ime, e kam e qetësuar duke këshilluar të thotë të vërtetën dhe nëse e gjykon të nevojshme të marrë një gjykatë. Si jurist i kam sqaruar një kushërire një të afërmi të drejtat e saj dhe vetëm kaq, nuk e kam penguar të thotë asgjë dhe as nuk kam tentuar të fsheh asgjë, sepse jam e interesuar të zbardhet e vërteta.
E kam kritikuar në fakt kushërirën time për faktin se adresa e organizatës ku ajo kishte qenë drejtoreshë ekzekutive nuk kishte ndryshuar që nga viti 2017 edhe pse e kisha kërkuar disa herë këtë gjë. Nuk di ta shpjegoj e çfarë mund të ketë ndodhur në Prokurori, çfarë presioni trysnie mund të ketë ndjerë kushërira ime që në deklaratat tona private ajo i ka sjellë e përcjellë në kontekst tjetër.
Kjo është e vërteta ime por për ta rrëfyer kurrë nuk jam thirrur, as dëgjuar, e mësova se jam nën hetim nga shtypi. Nuk më edhe dhënë mundësia të ballafaqoj komunikimet e të tretëve ku përmendet emri im, ku unë vetë nuk jam pjesë fare.