Sekretari i përgjithshëm i PD dhe bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Enkelejd Alibeaj, tha në një deklaratë për mediat të mbajtur këtë të hënë se “pakti” PS-Rithemelim ka pasur një bilanc negativ si për opozitën edhe për publikun.
Ai e konsideroi të rreme betejën e deputetëve demokrat të cilët për 5 muaj nuk lejuan zhvillimin e seancave plenare në Kuvend, ndërsa theksoi se kjo marrëveshje ka pasur edhe sakrifica. Sipas tij e sakrifikuara e parë ishte reforma zgjedhore e fill pas saj mundësia e diasporës për të votuar.
“Çfarë u fitua në këto 5 muaj beteje të rreme? Cili është bilanci? Tashmë nga kjo marrëveshje ende okulte, ajo që di publiku është fakti se janë marrë 1 apo dy komisione, interesi publik i të cilëve duket se nuk është ai që publiku kërkon. Nuk drejtohen kundër Edi Ramës. Së dyti komisionet hetimore vazhdojnë me një ligj të bërë nga Edi Rama, me rregulla të përcaktuara nga Edi Rama. E treta, e sakrifikuara e madhe është reforma zgjedhore.
Arritja e madhe e kësaj marrëveshje hipokrite, i kësaj beteje të rreme, është pikërisht sakrifikimi i reformës zgjedhore. Kjo ka një kosto të madhe, fakti është që opozita ka humbur atë që ka qenë garancia më e madhe e saj, e drejta e vetos për ti vendosur kufizim mazhorancës që të mos kalojë ligje të rëndësishme dhe sidomos reformën zgjedhore duke peshkuar vota apo elektrone të lirë nga ana opozitare, tashmë që interesat individuale pragmatiste të deputetëve janë më të shfaqura se kurrë.
Partia Socialiste e dështoi reformën zgjedhore dhe kjo ka një bilanc të hidhur edhe për publikun. Publikut së pari iu mohua ndryshimi i pazarit famëkeq të 2008 Rama- Berisha. Partia socialiste arriti të ruaj edhe me ndihmën e të tjerëve, të konservojë edhe njëherë sistemin famëkeq zgjedhor. Së dyti e sakrifikuara e madhe është vota e diasporës”,-tha Enkelejd Alibeaj.