Shkruan Edmond Hoxhaj
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi më 25 shtator 2023 të lërë në fuqi shkarkimin nga detyra të gjyqtares së Tiranës, Rezarta Balliu, pasi i gjeti të drejta thuajse të gjitha konkluzionet e Komisionit për bilancet negative në krijimin e pasurive, për veprime fiktive e deklarim të rremë. KPK e shpalli shkarkimin nga detyra të Balliut më 9 korrik 2021 duke konsideruar të mjaftueshme për vendimarrjen vetëm gjetjet për pasurinë.
Gjatë shqyrtimit të ankimit të Balliut, Kolegji i ka gjetur të pabazuara pretendimet lidhur me shkaqet procedurale, duke vlerësuar se nuk konstatohen veprime të Komisionit të cilat në vetvete mund të përbënin cenim të së drejtës së subjektit për një proces të pavarur dhe të paanshëm, apo që janë tejkalim i tagrave të KPK për vendimarrje apo hetim.
Po ashtu, KPA ka rrëzuar edhe pjesën më të madhe të shkaqeve të ngritura për pasurinë.
Kolegji gjeti të drejta edhe përfundimet e Komisionit se bashkëshorti i subjektit, ish-gjyqtari i Apelit Durrës, Arjan Balliu kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm për të ardhurat e pasuritë; se kishte bërë deklarim të rremë e fshjehje; se dhe se kishte nënshkruar kontratë fiktive për shitjen e një apartamenti me qëllim justifikimin e burimeve financiare për pasuritë e tjera; si dhe se ishte gjendur në kushtet e konfliktit në gjykimin e një çështjeje.
KPK ka konstatuar pamundësi për një investim në bono thesari në vlerën 3 milionë lekë në vitet 2004 – 2006. Balliu ka deklaruar si burime shumën 1.5 milionë lekë kursime familjare dhe 1.5 milionë lekë të tjera të depozituara në favor të babait, për pamundësi fizike të tij. Sipas KPK, prindërit e subjektit të rivlerësimit si dhe bashkëshortët Balliu nuk kishin mundësi financiare për investimin e pretenduar. Po ashtu, është konkluduar se nuk është provuar kthimi i interesave të përfituara prej babait të saj, si dhe të ½ e vlerës së bonove.
Subjekti ka pretenduar në ankim se burimi krijimit të shumës 1.5 milion lekë të depozituara prej bashkëshortit për llogari të babait, kanë qenë të ardhurat e përfituara nga dhënia me qira e pronave në qytetin e Durrësit prej vitit 2000 e në vijim, ndërsa si burim i pjesë së tyre po 1.5 milion lekë kanë qenë kursimet familjare të krijuara nga të ardhurat në vite nga pagat.
Trupi gjykues i Kolegjit vlerëson se mbetet e paprovuar me dokumentacion se babai i subjektit ka qenë pronar i ½ së shumës së investuar prej bashkëshortit të saj në bono thesari, pasi ky fakt nuk është deklaruar në vitin 2004 si dhe as në vijim, duke u shënuar për herë të parë deklaratën “veting”, për efekt të procesit të rivlerësimit.
“Pavarësisht se subjekti i rivlerësimit në deklarimin e DPV-së të vitit 2004 referon një detyrim ndaj të atit në të njëjtën vlerë, nuk rezulton asnjë specifikim që të lidhë këtë shumë detyrimi me blerjen e bonove të thesarit apo të ndarjes në pjesë takuese midis babait dhe bashkëshortit të subjektit të rivlerësimit”, vëren KPA dhe shton se nga subjekti nuk është deklaruar as kthimi mbrapsht i shumës së bonove të thesarit babait, apo viti kur janë kthyer këto shuma.
Për rrjedhojë, vlerësohet si deklarativ pretendimi se babai ka qenë pronar i ½ së shumës së investuar në bono thesari.
Në vijim, KPA konstaton se është i vërtetë fakti se babai i subjektit ka pasur në pronësi pasuri të paluajtshme, të cilat rezulton se i ka dhënë me qira dhe ka përfituar të ardhura prej tyre. Në vendim evidentohet se KPK i ka llogaritur dhe i ka marrë në konsideratë ato në vlerën prej 2 milionë e 280 mijë lekësh. Ndërsa për të ardhurat e përfituara para vitit 2003, trupi gjykues çmon se nuk mund të konsiderohen, pasi nuk është paraqitur dokumentacion ligjor justifikues që do të vërtetonte pagimin e detyrimeve tatimore për të ardhurat nga qiraja.
Në përfundim, Kolegji e gjen të konfirmuar diferencën negative në shumën 923 mijë lekë për investimin e kryer në bono thesari dhe vlerëson se Balliu gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë e të pamjaftueshëm lidhur me burimin e krijimit të tyre.
Komisioni i ka vlerësuar të pasakta dhe të rreme deklarimet e Balliut në lidhje me burimin e krijimit të një apartamenti me sipërfaqe 70.8 m2 dhe garazh në Tiranë, i blerë për vlerën 28 mijë USD në vitin 2001. Po ashtu, është konstatuar pamjaftueshmëri burimesh në shumën 3.6 milionë lekë. Shitjen e kësaj pasurie, KPK e çmoi si veprim fiktiv, me qëllim justifikimin e blerjes së nja pasurie tjetër. Tjetër konstatim i Komisionit, ishte dhe mospasqyrimi në deklaratën “veting” i një pasurie në posedim dhe përdorim prej vitit 2012, ndodhur në të njëjtën adresë, si dhe as burimin e ligjshëm të krijimit.
Balliu ka kundërshtuar në ankim, duke pretenduar se burimi ligjshëm financiar për blerjen e apartamentit në vitin 2001 kanë qenë kursimet familjare nga të ardhurat nga pagat e saj dhe të bashkëshortit në vitet 1991-2001, si dhe vlera prej 1 milion lekësh e përfituar nga puna dhe të ardhurat si emigrant ekonomik i vjehrrit H. B., në Greqi. Ajo e ka cilësuar të padrejtë moskonsiderimin në analizën financiare të të ardhurave nga puna në emigracion e vjehrrit dhe nga pensioni i tij, si dhe të ardhurat nga asistenca dhe puna e vjehrrës së saj për periudhën 1992 – 2001.
Kolegji konstaton se vetëm gjatë hetimit administrativ në Komision subjekti ka deklaruar se si burim krijimi për këtë pasuri kanë shërbyer të ardhurat e vjehrrit, ndryshe nga sa ka deklaruar bashkëshorti i saj në deklaratën “veting” dhe në deklarimin fillestar të vitit 2003.
Një fakt tjetër kontradiktor lidhur me burimin e krijimit të kësaj pasurie Kolegji ka gjetur edhe në një dokumentin për dhënien e dhuratës 15 mijë USD nga babai i subjektit, për të cilën ajo ka paraqitur në Komision deklaratë noteriale të nënës, të vitit 2015, ku është shprehur se i ka falur vajzës një pjesë të të ardhurave të tyre nga qiratë e pronave, rreth viteve 2002- 2004, për të blerë një banesë në Tiranë.
“Nga përmbajtja e kësaj deklarate, rezulton se shuma është deklaruar me destinacion apartamentin në Tiranë, fakt që bie ndesh me pretendimin e subjektit se shumën në fjalë [15.000 USD] nuk e ka përdorur për blerjen e apartamentit”, vëren KPA dhe vlerëson se deklarimet e subjektit në lidhje me burimin e krijimit të kësaj pasurie janë kontradiktore dhe të pasakta.
Në vijim, Kolegji vlerëson se subjekti nuk arriti të provojë ekzistencën dhe vlerën e të ardhurave të vjehrrit të saj, si dhe as ligjshmërinë e tyre. Për rrjedhojë, edhe KPA çmon se nuk janë provuar burimet e ligjshme për vlerjen e apartamentit në vitin 2001 në shumën 28 mijë USD dhe mbulimi shpenzimeve të mobilimit.
Lidhur me konstatimin e Komisionit për fiktivitet në shitjen e kësaj pasurie nënës së subjektit për vlerën 8.8 milionë lekë, Balliu ka pretenduar se janë respektuar të gjitha dispozitat e Kodit Civil mbi kontratën e shitjes dhe për të janë shlyer edhe detyrimet tatimore, me një vlerë reale pasurie pas rivlerësimit të pronës.
Për pamjaftueshmërinë e burimeve të ligjshme të nënës së saj për blerjen e banesës në shumën 8.8 milionë lekë, ajo ka pretenduar se referuar dokumentacionit të dorëzuar, prindërit kanë pasur të ardhura nga dhënia me qira e pronave në vlera të konsiderueshme.
Sipas subjektit kontratat e qirasë dhe shkresat e Drejtorisë së Tatimeve vërtetojnë ligjshmërinë e të ardhurave të përfituara nga qiraja.
Kolegji vëren se kontrata e shitjes së apartamentit në vitin 2012 për vlerën 8.8 milionë lekë, është e vetmja gjurmë që ka lënë ky veprim juridik. Nuk rezulton që subjekti të ketë deklaruar gjendjen cash në fund të vitit, sikurse në asnjë nga vitet pasardhëse shumën që do t’i korrespondonte vlerës së mbetur nga të ardhurat e këtij transaksioni pas blerjes së një automjeti po në 2012-ën.
Sipas KPA, subjekti ka deklaruar për herë të parë gjendje cash duke iu referuar të ardhurave nga shitja e apartamentit, në deklaratën periodike të vitit 2016, plotësuar pas deklaratës së pasurisë vetting, në muajin mars të 2017-ës, kohë që përkon me nisjen e procesit të rivlerësimit.
“Edhe në deklaratën e pasurisë [vetting], bashkëshorti i subjektit të rivlerësimit, jo vetëm që nuk ka specifikuar vlerën monetare të pretenduar se ka mbetur cash në shtëpi ndër vite, por e ka deklaruar apartamentin në pronësi 100%, ndonëse ka deklaruar të ardhura nga shitja e këtij apartamenti”, konstaton Kolegji dhe cilëson si fakt shtesë në përforcimin e argumentit se kontrata e shitjes është fiktive deklaratën noteriale të vitit 2015 të lëshuar nga nëna e subjektit, ku konfirmohet dhurimi i një shume 15 mijë euro për blerje apartamenti.
“Fakti që prindërit e subjektit pretendohet të kenë kontribuar vazhdimisht dhe rregullisht në dobi të mirëqenies financiare të subjektit të rivlerësimit dhe familjes së saj e bën të pakuptimtë faturimin ndaj tyre të vlerës së apartamentit, sipas kontratës së shitjes, ndërkohë që referuar deklarimit të subjektit në deklaratën periodike të vitit 2003, prindërit kishin kontribuar një herë për më shumë se gjysmën e vlerës së blerjes së këtij apartamenti”, citohet në vendim.
Nga dokumentacioni i administruar janë evidentuar të ardhura të përfituara nga qiradhënia e pronave në Durrës nga prindërit e subjektit të rivlerësimit, por sipas KPA, nuk është vërtetuar pagesa e detyrimeve tatimore e për rrjedhojë ligjshmëria e tyre për të mbuluar vlerën 8.8 milionë lekësh.
Duke konsideruar dhe faktin se për këtë periudhë prindërit e subjektit kanë bërë investime në pasuri dhe investime të tjera si bono thesari, depozita dhe dhurime, për të cilat analiza financiare e kryer në KPK ka rezultuar me balancë negative, edhe Kolegji vlerëson se nëna e subjektit nuk ka pasur mundësi financiare të ligjshme për blerjen e apartamentit.
Në përfundim, Kolegji çmon se subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të rremë në deklaratën e pasurisë së rivlerësimit për sa i përket burimit të krijimit të kësaj pasurie dhe se ka mungesë burimesh të ligjshme për krijimin e saj.
Gjithashtu, vlerësohet se Balliu ka qenë kontradiktore në deklarimin e kryer në deklaratën e pasurisë dhe deklaratat e interesave periodike vjetore, si dhe përgjatë procesit të rivlerësimit.
Kontrata e lidhur mes bashkëshortit të subjektit dhe nënës së saj për shtiblerjen e këtij apartamenti, konsiderohet fiktive.
Konkluzioni për të ardhurat e pretenduara si të përfituara nga shitja e apartamentit në vitin 2012, kanë ndikuar në analizën financiare të një gjendje cash 1 milion lekë. “Në kushtet kur burimi i krijimit të vlerës cash të deklaruar nga subjekti i rivlerësimit në deklaratën e pasurisë vetting janë të ardhurat e përfituara nga shitja e apartamentit me sipërfaqe 70,8 m2 , në Tiranë, që u konsideruan si veprime fiktive me qëllim justifikimin e krijimit të pasurive të tjera ([…]), trupi gjykues vlerëson se për gjendjen cash të ndodhur në banesë subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm”, citohet në vendim.
Situatë e njëjtë konstatohet dhe për vlerjen e një automjeti për çmimin 25 mijë euro në vitin 2012, pasi janë deklaruar si burim të ardhurat nga shitja e apartamentit.
KPA vlerëson se subjekti ka kryer deklarim të pasaktë për burimin e një apartamenti më sipërfaqe 70 m2, si dhe se gjendet në kushtet e pamundësisë financiare për krijimin e kësaj pasurie.
Konstatimi i konfliktit të interesit në gjykimin e një çështje nga bashkëshorti, ku palë ka qenë përfaqësuesi me prokurorë i shoqërisë që ka shitur apartamentin, çmohet se nuk mund të ngarkojë subjektin me përgjegjësi.
Ndërkohë, Kolegji ka arritur në një tjetër konkluzion nga Komisioni lidhur me burimet që kanë shërbyer për blerjen e një automjeti në shumën 1 milion lekë të blerë të vitin 1999. Nga analiza financiare e kryer në KPA, ka rezultuar se Balliu ka pasur mundësi për blerjen e këtij automjeti.
Trupi gjykues vëren se ky ndryshim i vlerave erdhi si rezultat i faktit se në analizën financiare të kryer në Kolegj, shpenzimet e jetesës kanë rezultuar më të ulta. Gjithashtu, janë përfshirë edhe të ardhurat nga paga e subjektit të rivlerësimit, të rillogaritura për periudhën 1996-1998, të cilat nuk ishin llogaritur më parë në analizën e Komisionit.
Po, ashtu, konkluzionet e KPK për një apartament në Kavajë, në pronësi të subjektit, janë gjetur pa peshë në kontrollin e vendimit të shkallës së parë dhe për rrjedhojë Kolegji nuk është shprehur me një vlerësim.