Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, ka treguar për pajisjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës me armatim dhe për ndihmën që i është bërë Ukrainës me pajisje ushtarake si dhe aktivitetet e përbashkëta.
“Me të gjitha shtetet e NATO-s kemi bashkëpunim, kemi kontrata thuajse me të gjitha shtetet për blerjen e armatimit”, tha Syla, për RTV21.
Ai ka thënë se Kosova është në dispozicioni për ta ndihmuar Ukrainën rreth pajisjeve ushtarake.
”Kemi një kontigjent ushtarak atje, kemi potencial tjetër për ta ndihmuar Ukrainën me një numër të konsiderueshme të automjeteve taktike. Ka edhe autoblinda edhe kamionë, që do t’ia dhurojmë Ukrainës brenda një muaji”, ka thënë Syla.
Sipas tij, Kosova ka kaq kapacitet për ta ndihmuar Ukrainën. Këtë ndihmë ai e quajti simbolike.
Syla ka folur edhe për mundësin e patrullimeve të përbashkëta të FSK-së dhe KFOR-it në veri të vendit.
Ai tha se ushtarët tanë kanë qenë atje për aktivitet e ndryshme që janë mbajtur në veri të vendit.
”Kemi pasur aktivitete bashkë në pjesën e veriut, nuk është se nuk kanë qenë ushtarët tanë atje”, tha ndër të tjera Syla.